Shkurt.ch

Strasburgu rrëzon dy herë vendimet e gjykatave të Zvicrës

Gjykata e të drejtave të njeriut kishte konstatuar se Zvicra i kishte shkelur një turku të drejtën e njeriut për jetë private dhe familjare

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg ka rrëzuar për të dytën herë vendimin institucioneve dhe gjyqeve zvicerane lidhur me rastin e riatdhesimit të detyruar të një qytetari turk.

Turku 31 vjeçar kishte ardhur në Zvicër, në Neuchatel me prindërit në vitin 1986. Nga viti 1994 ai ka filluar të bjerë në kundërshtim me ligjin në mënyrë të vazhdueshme. Brenda periudhës 1994-2002 ai kishte marrë një sërë dënimesh për lëndime trupore, plaçkitje, delikte pasurore, të trafikut etj.

Për të gjitha këto, atij i i ishin shqiptuar dënime prej gjithsej 13 muajsh e gjysmë, shkruan swissinfo.ch,

Pas lirimit me kusht në vitin 2003, autoritetet për të huaj në kantonin e Neuchatelit vendosin ta dëbojnë atë nga Zvicra për kohë të pakufizuar. Gjykata Federale e vërtetoi këtë dënim në vitin 2004.

Ndërkohë, i dëbuari nga Zvicra kishte bërë ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Kjo gjykatë i ishte dhënë të drejtë atij dhe kishte konstatuar se “Zvicra kishte shkelur të drejtën e njeriut për jetë private dhe familjare”.

Me këtë vendim, gjykata në fjalë kishte dënuar Zvicrën që të riatdhesuarit t`ia paguajë 3000 euro në emër të kompensimit moral të dëmit dhe 4650 euro për shpenzimet e gjyqit.

Si rezultat i këtij vendimi, Gjykata Federale e Zvicrës e shndërroi gjykimin e saj të mëparshëm për dëbim të pakufizuar nga Zvicra në dëbim të kufizuar për dhjetë vjet. Si vit i fillimit të llogaritjes ishte vendosur viti 2003.

Por, turku i cili ndërkohë jeton në Gjermani ishte ankuar sërish dhe sërish gjykata e Strasburgut i kishte dhënë të drejtë. Edhe kësaj here, sipas Strasburgut, Zvicra kishte shkelur të drejtën për jetë private dhe familjare.

Kësaj here shteti zviceran duhet të paguajë 5000 franga kompensim. Veç kësaj, me këtë vendim bie poshtë edhe vendimi i Gjykatës së Zvicrës për dëbimin dhjetëvjeçar të turkut, si joproporcional me deliktet e blera nga ai.

Strasburgu vlerëson se veprimet delikuente të të ankuarit kanë ndodhur në moshën e hershme adoleshente dhe se, me pjekurinë e tij të arritur, nuk ka kryer më veprime të tilla. Përveç kësaj ai është penduar për deliktet e hershme dhe ndërkohë ka krijuar familje si dhe, sipas mundësive që i ofrohen, bën punë të rregullt.