Shkurt.ch

Zvicër: Aeroplanët blihen pa kërkuar votën e popullit

Ushtria zvicerane do të ketë në dispozicion 5 miliardë franga në vit, ndërsa aeroplanët luftarakë blihen me paratë nga ky buxhet

Të dy dhomat e Parlamentit të Zvicrës kanë unifikuar qëndrimin lidhur me një çështje që po debatohet tash një kohë të gjatë: është fjala për rritjen e buxhetit për ushtrinë dhe për blerjen e aeroplanëve të rinj luftarakë.

Kështu, në bazë të pajtimit të arritur, ushtria zvicerane do të ketë në dispozicion 5 miliardë franga në vit, në vend të 4 miliardë sa ka tash. Edhe aeroplanët e rinj luftarakë do të blihen me paratë nga ky buxhet.

Dhomat e parlamentit kanë vendosur që për çështjen e blerjes së aeroplanëve në fjalë të mos iniciohet referendum, pra, populli nuk do të shprehet rreth kësaj çështjeje. Më parë, dhoma e vogël (e kantoneve) kishte preferuar që për blerjen e aeroplanëve të kërkohej një buxhet shtesë, për ndarjen e të cilit duhej të vendoste vota e popullit.