Shkurt.ch

Ndërtimtarët kërkojnë rritje të pagave

Kërkesat e sindikatave janë që pagat bazë të rriten për 100 franga dhe që të forcohet mbrojtja e punëtorëve

Rreth 12 mijë punëtorë të ndërtimtarisë kanë demonstruar të shtunën në qendër të Bernës, me ç`rast kanë kërkuar rritje të pagave. Përveç për pagat, ata kanë shtruar edhe kërkesa tjera si pagesën e plotë në rast sëmundjeje (aktualisht e marrin 80% të saj) dhe mbrojtje të punëtorëve të moshuar nga shkëputja e marrëdhënies së punës.

Përmes kësaj demonstrate sindikatat zvicerane synonin të bëjnë presion për negociatat lidhur me marrëveshjen kolektive në lëmin e ndërtimtarisë, shkruan nzz.ch.

Kërkesat e sindikatave janë që pagat bazë të rriten për 100 franga për secilin punëtor dhe që, me marrëveshjen e ardhshme kolektive të forcohet mbrojtja e punëtorëve. Ata kërkojnë edhe forcim të masave kundër dumpingut.

Nga ana tjetër, Bashkësia e ndërtimtarëve të Zvicrës (kompanive të ndërtimit) akuzojnë sindikatat se ato, me qëndrimin e tyre të pa kompromis po shkaktojnë një gjendje në të cilën ndërtimtaria mund të mbetet pa marrëveshje kolektive.