Shkurt.ch

SVP, 2 mijë franga shpërblim për kapjen e shkatërruesve të pllakateve

SVP-ja në Thurgau ofron 2 mijë franga shpërblimin për informatorin, i cili do të japë detaje se kush po i demolon pllakatet e tyre zgjedhore

SVP-ja në Thurgau ka publikuar një shpallje në një gazetë lokale, në të cilën thuhet se kush ofron të dhëna për autorët që po i shkatërrojnë bilbordet dhe materialet propagandistike të këtij subjekti politik, shpërblehet me 2 mijë franga.

Në shpallje është publikuar edhe një numër telefoni, në të cilin përgjigjet anëtari i SVP-së, Henry Frei, njofton gazeta “Tagblatt”.”Përsëri bilbordet janë demoluar. Një pllakate e tillë kushton rreth 250 franga”, deklaron Henry Frei, anëtar i SVP-së në Thurgau.  Ai thotë se edhe me iniciativën për ndalimin e minareve materialet  e tyre propagandistike ishin shkatërruar.  “Publikimi në gazetë do të parandalonte shkatërrimin e tyre”, shpreson politikani i SVP-së.

“Autorët janë njerëz që e urrejnë SVP”, thekson Frei, dhe pret nga informatorët, t’i japin informacione për autorët e këtyre rasteve, të cilët thotë se do t’i denoncojë për vepra penale.

Nga ana tjetër zyrtarë të fushatës zgjedhore të SVP-së në Thurgau thonë se një nismë e tillë nuk ishte koordinuar me SVP-në. “Kjo është shpallje e një personi privat dhe nuk është shpallje zyrtare e SVP-së”, tha Tomas Gemperle, udhëheqës i  fushatës në Thurgau.

SVP-UDC ishte kritikuar ashpër  nga subjektet tjera politike në Zvicër për gjuhën denigruese që po përdor në fushatën e saj zgjedhore ndaj të huajve e sidomos ndaj kosovarëve..