Fun

Dua të bëhem “Miss & Mister Zvicra Frankofone” sepse…

Kandidatet shqiptare për Miss janë: Erona Hogjaj, Charline Tusha, Erjona Kryeziu dhe Selvie Hiseni, ndërsa kandidati i vetëm shqiptar për Mister është Granit Abdyli

 

Spektakli i bukurisë “Miss &Mister Zvicra Frankofone” edhe këtë vit “pushtohet” nga shqiptarët. Në finalen e këtij eventi i cili do të mbahet më 17 qershor marrin pjesë pesë shqiptarë: katër vajza dhe një djalë. Fjala është për kandidatet për Miss: Erona Hogjaj, Charline Tusha, Erjona Kryeziu dhe Selvie Hiseni, ndërsa kandidati i vetëm shqiptar për Mister është Granit Abdyli. “albinfo.ch”, ka realizuar intervista të shkurtra me të gjithë finalistët shqiptarë përpos kandidates Selvie Hiseni. Ata në këto intervista shpalosin personalitetin e tyre dhe dëshirën për të fituar këtë garë në Zvicër.

Erona Hogjaj

Është 18 vjeçare banon në kanton Friburg. Është asistente e dentistit.

Nuk mund të jetoj… Pa familjen time të cilën e kam mbështetje gjatë gjithë jetës.

Ëndrra ime më e madhe… Të bëhem stomatologe dhe modele e suksesshme.

Tek vetja më pëlqen… Durimi, thjeshtësia, këmbëngulja.

Shoqëria për mua thotë… Se jam e dashur, e sjellshme dhe shumë miqësore.

Hobi im… Vallëzimi, muzika dhe shëtitjet.

Me rrogën e parë kam blerë… Një qafore për nënën time.

Spektaklet e bukurisë për mua janë… vendi që të ngjall emocione të veçanta, ku tregohet bukuria dhe personaliteti.

Dua të bëhem “Miss Zvicra Frankofone” …sepse dua që të triumfojë bukuria shqiptare.

Përpos modelimit merrem edhe me … prej moshës 14 vjeçare merrem edhe me balet.

Vesi im më i keq… besoj shumë tek njerëzit.

Erijona Kryeziu

Është 20 vjeçare, vjen nga Pagarusha e komunës së Malishevës. Banon në kanton Vallis të Zvicrës. Momentalisht është studente e mjekësisë.

Gjëja që më bën të lumtur… Familja dhe sukseset e mia.

Më e rëndësishme në një lidhje dashurie është… Besimi, toleranca dhe mirëkuptimi për njëri tjetrin.

Do të kisha hequr dorë… Nga gjërat negative, të këqija për mua dhe shoqërinë.

Ëndrra ime më e madhe… Të udhëtoj në gjithë botën dhe të jem modele.

Tek vetja më pëlqen… Buzëqeshja dhe ngjyra e syve të mi.

E nuk më pëlqen… Këmbët i kam pakëz të mëdha.

Dashuria për mua është… Kur gjithçka ka mirëkuptim dhe fryt i saj është krijimi i familjes.

Me rrogën e parë kam blerë… Disa dhurata për familjen dhe kam kursyer para për studime.

Dua të bëhem miss Zvicra… Sepse është një nga ëndrrat e mia të fëmijërisë dhe është kënaqësi të bart kurorën e bukurisë zvicerane.

Përpos modelimit merrem edhe me… Fitnes si dhe jam vullnetare në shoqatën për luftën kundër kancerit.

Charline Tusha

Është nga Shkupi, jeton në Gjenevë. Është 17 vjeçare dhe studion për tregti.

Spektaklet e bukurisë për mua janë… Një event ku mund të tregosh personalitetin tënd të bukurisë dhe një çelës me të cilinmund të hapësh dyer të shumta për të ardhmen tënde.

Dua të bëhem miss Zvicra Frankofone… Sepse kam besim në vetveten. Por është edhe kënaqësi dhe privilegj të jesh për një vit më e bukura e e Zvicrës Frankofone. Dua që publikut zviceran të ju tregojmë se sa të bukur janë shqiptarët.

Ndihem e lumtur… Kur shoh buzëqeshje në fytyrat e të tjerëve.

Ndërsa e mërzitur… Kur shoh të varfër në rrugë, njerëz të pastrehë dhe kur dëgjoj lajme të këqija.

Ëndrra ime më e madhe… Të bëhem e suksesshme në profesionin tim dhe në fushën e modës.

Mashkulli im ideal… Mendoj se ende jam e re për këtë gjë, kam shkollimin dhe synime të tjera.

Tek vetja pëlqej… Sinqeritetin

E nuk pëlqej… Jam impulsive.

Hobi im… Është vallëzimi dhe udhëtimet.

Para se të fle… Lexoj, bëj detyrat e shkollës ose shikoj ndonjë film apo emision në televizor.

Granit Abdyli

Është 21 vjeçar nga Mitrovica. Që në moshën 3 vjeçare jeton me familje në Gjenevë.  Ka mbaruar shkollën e mesme dhe për një vit ka qenë në shërbimin ushtarak zviceran.

Më e rëndësishme në një lidhje dashurie është… Vlerat njerëzore si: Edukimi, besimi dhe sinqeriteti.

Kjo më bën të lumtur… Buzëqeshja dhe lumturia e familjes sime.

Ëndrra ime më e madhe… Të fitoj “Mister Zvicra Frankofone” dhe të vazhdoj karrierën më tutje.

Tek vetja pëlqej… Sinqeritetin tim dhe këmbënguljen për të arritur sa më tepër.

Nuk më pëlqen… Mungesa e besimit në vetvete.

Dashuria për mua është… Oksigjen shpirtëror.

Hobi im është… Sporti, muzika dhe shëtitja në natyrë.

Spektaklet e bukurisë për mua janë… Një aventurë shumë e mirë për të fituar vetëbesim dhe për të hapur rrugë të reja për një karrierë në botën artistike.

Dua të bëhem “Mister Zvicra Frankofone” … Sepse mendoj se i plotësoj të gjitha kushtet dhe jam i denjë për të fituar këtë garë.

Nuk fal… Shpifjet dhe tradhtinë.