Shkurt.ch

Nuk dëbohet kosovari, shkaktar i aksidentit me fatalitet

Meqë në Zvicër kishte ardhur si foshnjë, këtu e kishte gjithë farefisin dhe kishte shenja përmirësimi, atij i është dhënë edhe një shans

Më 15 tetor të vitit 2005, dy kosovarë të mitur, njëri 16 dhe tjetri 14 vjeç po bënin një garë me veturat e tyre në rrugën në mes të fshatit Hochdorf dhe Hohenrain. Me këtë rast ata kishin zhvilluar një shpejtësi deri në 140 kilometra në orë, që konsiderohet tejkalim i madh për rrugët lokale. 

Në rrugën e kthimit, vetura e 16 vjeçarit doli nga rruga dhe goditi murin e një shtëpie, me ç`rast, një nga vajzat që gjendeshin në veturë humbi jetën.

Shkaktari i aksidentit është dërguar pastaj në entin e riedukimit ku ka mbaruar një kualifikim për zdrukthtar. Pasi që, në vitin 2008 ai është liruar nga enti në fjalë, Zyra për Migracion e Kantonit të Lucernit nuk ia ka vazhduar më lejen e qëndrimit në Zvicër dhe ka marrë vendimin për dëbimin e shtetasit kosovar nga Zvicra.

Por ai ushtron ankesë në Gjykatën Administrative të kantonit të Lucernit e cila i jep atij të drejtë dhe e urdhëron zyrën e migracionit që t`ia vazhdojë lejen e qëndrimit.

Ndërkohë, një instancë më e lartë, Zyra Federale për Migracion kishte kundërshtuar t`ia vazhdinte kosovarit lejen e qëndrimit në Zvicër dhe i kishte caktuar atij sërish një afat për braktisjen e vendit. Por kosovari kishte bërë sërish ankesë në Gjykatën Administrative Federale dhe sërish kishte pasur sukses. Ankesa e tij ishte miratuar.

Gjyqtarët e nivelit federal i kishin dhënë atij të drejtë.

Duke qenë se kosovari kishte ardhur në Zvicër kur kishte vetëm 10 muaj, pastaj këtu ai kishte vijuar shkollimin dhe këtu ai kishte po ashtu të gjithë farefisin dhe për faktin se masat e riedukimit kishin treguar sukses, ata kishin vendosur që t`i jipnin atij edhe një shans.