Shkurt.ch

I ikuri nga psikiatria, ende pa gjurmë

Një vuajtës dënimi ka ikur dje nga një klinikë psikiatrike e Bazelit dhe ende gjendet në arrati. Ikja e njeriut që po vuante dënimin në psikiatri ka ndodhur në kohën kur ai po shëtiste në oborrin e kontrolluar të klinikës.

Përgjegjësit thonë se nuk kanë ngritur alarm dhe kërkim masiv për të arratisurin, sepse, sipas tyre, ai nuk paraqet rrezik për rrethin. Ai është dënuar me një masë terapie psikike në vitin 2007. Gjatë kësaj kohe ai ka qenë duke u shëruar dhe ka shënuar përparime në këtë drejtim.

Përkundër kësaj, disa medie, duke iu referuar burimeve të ndryshme pohojnë se i arratisuri mund të përbëjë rrezik për të tjerët.

Megjithatë, emri i tij gjendet në sistemin e kërkimit Ripol dhe ky i fundit është aktivizuar, ka thënë sot për mediet një zëdhënës i drejtorisë për siguri në kantonin e Bazelit. Kjo, sipas tij nënkupton që policia dhe rojet e kufirit duhet të jenë syçelur për të arratisurin.