Shkurt.ch

Populli vendos a do të zgjedhë qeverinë në mënyrë direkte

SVP-UDC këmbëngul në përparësinë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë ndërsa kundërshtarët e shohin si dobësim të sistemit të konkordancës

Zviceranët me të drejtë vote mund të zgjedhin vetë anëtarët e qeverisë së tyre (Këshillit Federal). Kjo mund të bëhet e mundur nëse qytetarët e japin votën e tyre për iniciativën e re të SVP-UDC-së, e cila kërkon zgjehdjen e drejtpërdrejtë të qeveritarëve. Zgjedhja do të bëhej në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare.

Për këtë iniciativë partia në fjalë ka grumbulluar 109 mijë nënshkrime të cilat i ka dorëzuar dje, më 25 gusht. Iniciativa është pranuar si e vlefshme.

SVP-UDC këtë iniciativë e ka ndërmarrë pas moszgjedhjes së Christoph Blocherit në qeveri, nga parlamenti, 3 vite më parë. Partia mendon se me zgjedhje të drejtpërdrejta do të ketë më tepër përfaqëues në qeverinë federale. Në rast të zgjedhjeve nga populli dhe jo nga parlamenti, bëhen të panevojshme negociatat në mes të partive, ka argumentuar SVP-UDC.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e shohin këtë veprim si dobësim të sistemit zviceran të konkordancës. Pakicat regjionale dhe gjuhësore, përkundër vendosjes së rregullave të veçanta, megjithatë do të diskriminoheshin, thonë ata. Kundërshtarët i druajnë po ashtu edhe “amerikanizimit” të sistemit, sipas të cilit, shuma e investuar e parave do të përcaktonte fituesin.