Fotolajmi

Trump: „Bashkësia Evropiane është Gjermania“

Më 20 janar biznesmeni Donald Trump do të betohet si presidenti i 45-të i SHBA-ve. Intervistën me presidentin e ri të SHBA-së e ka zhvilluar botuesi i BILD, Kai Diekmann, dhe Michael Gove nga „Times“- i i londinez. Albinfo.ch sjell interevistën e Donald Trumpit

BILD: Zotëri president i zgjedhur. Gjyshi Juaj ka prejardhje nga Gjermania, nëna Juaj nga Skocia. Siç e dini, kolegu im, Michael,nga „Times“, është nga Skocia, unë jam gjerman. Si do t’i kultivoni marrëdhëniet me vendet tona?

Donald Trump: „Mirë, në mënyrë të ngjashme. Ne i duam të dy vendet. Janë vende madhështore, me hapësira të mrekullueshme. Është shumë interesante si Britania e Madhe u nda (nga BE- vërejtje e redaksisë së bild.de). Këtë siç e dini e kam parashikuar pak a shumë.

Unë isha në Turnberry, sepse aty kam blerë (një klub të golfit – vërejtje e redaksisë). Ai po ec pabesueshëm mirë dhe  ju them se humbja në vlerë e pfund sterlingut Tuaj është diç madhështore, sepse bizneset po ecin në shumë pjesë të Britanisë pabesueshëm mirë. Unë mendoj se Brexit-i në fund do të dëshmohet si një gjë madhështore.

Trump: „Njerëzit nuk duan që njerëz të tjerë të vijnë e tyre dhe ta shkatërrojnë atë.“

A mendoni se do të ketë së shpejti një marrëveshje tregtare mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar?

Trump: Absolutisht, shumë shpejt. Unë jam një simpatizues i madh i Britanisë së Madhe dhe ne do të punojmë shumë, që atë ta kemi shpejt dhe sa më arsyeshëm – mirë për të dyja palët.  Unë do të takohem me … Nëse dëshironi ta shihni shkresën, që gjendet këtu diku, ajo (kryeministrja, Theresa May, – vërejtje e redaksisë) ma ka dërguar atë… Ajo më lut për një takim dhe ne do të takohemi posa të hyj në Shtëpinë e Bardhë dhe ne do ta kemi atë shumë shpejt.

Çka besoni Ju, cilat kanë qenë arsyet e Brexit-it?

Trump: Njerëzit nuk duan që njerëz të tjerë të vijnë në vendin e tyre dhe të shkatërrojnë. Dhe, a e dini Ju, se në vendin tim që në ditën time të parë në funksion do të kujdesem të kemi kufij shumë të sigurt. Një ndër dekretet, që do ta nënshkruaj që në ditën e parë – do me thënë të hënën, jo të premten apo të shtunën, që të mos e bëj këtë mu në mesin e kremteve, do të jetë dekreti që do të kujdeset për sigurinë e kufijve tanë.

Ne nuk duam që njerëz nga Siria të vijnë tek ne, për të cilët nuk dimë fare se kush janë. Për ne nuk ka kurrfarë mundësie të dimë se kush janë ata. Unë nuk dëshiroj të bëj si Gjermania. Me këtë rast dua të them se kam respekt të madh për Merkel-in, këtë më duhet ta them. Unë kam respekt të madh për të. Por, mendoj se, ajo që ka ndodhur është diç shumë fatkeqe. Ju e dini se unë e dua Gjermaninë, sepse babai im ka prejardhje nga Gjermania, dhe unë nuk dua të vijë në një situatë të ngjashme. Siç e shoh unë, ne kemi mjaft probleme.

„Ne nuk kemi masa të njëmendta të sigurisë, për hyrje në vendin tonë”

Mbi rregullat rigoroze të hyrjes në SHBA dhe sigurinë e kufijve

Gjatë fushatës zgjedhore Ju deklaruat se do t’i ndaloni myslimanët nga mbarë bota të udhëtojnë në SHBA. A e keni këtë ende ndërmend?

Trump: (është fjala për myslimanët, vërejtje e redaksisë) nga vendet e ndryshme të botës, që kanë probleme me terrorizmin. Do të ketë shtim ekstrem të masave të sigurisë, nuk do të jetë më siç është sot. Ne nuk kemi masa rigoroze të sigurisë me rastin e hyrjes në vendin tonë. Ato parimisht për momentin nuk ekzistojnë, ashtu siç ka qenë në të kaluarën edhe në vendin Tuaj.

A mund të ketë kufizime për evropianët që duan të vijnë në SHBA?

Trump: „Kjo mund të ndodhë, por ne do ta shohim. Unë mendoj se flasim për pjesë të Evropës, pjesë të botës dhe pjesë të Evropës, ku ne kemi probleme, aty prej nga hynë brenda dhe shkaktojnë probleme. Unë nuk dua t’i kem këto probleme. Shikoni, unë i kam fituar zgjedhjet me (temat, – vërejtje e redaksisë) kufijtë e sigurt, tregtia dhe ushtria. Ne do të kemi një armatë të fortë“.

Mbi rrënjët e tij gjermane dhe britanike

Ju përmendet se keni paraardhës gjerman. Çka do të thotë për Ju që në damarët Tuaj rrjedh gjak gjerman?

Trump: “ Kjo është madhështore. Unë jam shumë krenar për Gjermaninë dhe Gjermania është diç shumë e veçantë. Banja Dürkheim, a po? Kjo është Gjermani e vërtetë. Jo, unë jam shumë krenar për Gjermaninë. Unë e dua Gjermaninë, unë e dua Britaninë e Madhe.“

A keni qenë ndonjëherë në Gjermani?

Trump: „Po, kam qenë në Gjermani.“

Kur Obama ishte për vizitë lamtumirëse në Berlin tha se po të kishte të drejtë, në zgjedhjet  e ardhshme do të votonte për Angela Merkel. Ju poashtu?

Trump: „Unë së pari nuk di se kundër kujt do të garojë ajo. Unë gjithashtu nuk e njoh atë dhe nuk e kam takuar ende. Unë kam përshtypjen se ajo është madhështore, një udhëheqëse madhështore. Por mendoj unë se ajo ka bërë gabim të skajshëm  katastrofal, dhe atë duke lejuar të hyjnë në vend gjithë ata ilegalë. Të lejosh të hyjnë brenda gjithë këta njerëz, ngado që të vijnë ata … Zaten askush nuk e dinë se prej nga vijnë këta njerëz. Këtë do ta shihni edhe ju. Nga kjo keni krijuar tashmë (me atentatin në Berlin – vërejtje e redaksisë) një përshtypje të qartë. Unë pra jam i mendimit se ajo ka bërë një gabim katastrofal, një gabim shumë të keq. Pa marrë parasysh këtë unë e respektoj atë, unë e dua atë, por nuk e njoh atë. Pra unë  nuk mund të them asgjë se a do ta kisha përkrahur – nëse fare do ta përkrahja dikë ».

„Unë mendoj se ajo ka bërë një gabim vërtet katastrofal“, thotë Trump për Merkel-in.… pa marrë parasysh këtë ai e respekton kancelaren – edhe pse atë nuk e ka takuar personalisht.

Kur do ta vizitoni si president Britaninë e Madhe?

Trump: „Unë do t’i gëzohem asaj. Nëna ime ka qenë shumë ceremoniale. Unë besoj se edhe unë e kam këtë anë, sepse babai im ka qenë i lidhur shumë me vendin dhe i thjeshtë. Nëna ime e donte shumë mbretëreshën, ajo donte çdo gjë – ajo ishte aq krenare me Mbretëreshën. Ajo e donte ceremoninë e oborrit dhe të bukurën, dhe këtë nuk mund ta bëjë askush më mirë se anglezët. Dhe ajo kishte respekt të madh për Mbretëreshën dhe e donte atë. Sa herë që Mbretëresha dilte në televizor, nëna ime e shikonte atë. Çmenduri, apo jo ?

A keni trashëguar edhe diç tjetër nga nëna Juaj skoceze?

Trump: „Tja, skocezët janë të njohur për atë se kanë kujdes për paratë e tyre të imta. Por vetë të merrem me shumë para të imta, ky është një problem.“

A ka diç tipike gjerman e tek Ju?

Trump: „Mua më pëlqen rregulli. Mua më pëlqen që gjërat të bëhen me rregull. Për këtë gjermanët janë bukur të njohur. Por edhe unë – unë e dua rregullin, unë e dua forcën“

Trump mbi luftën në Irak: „Aty ne kemi zgjidhur diç  – ishte sikur të hedhësh gurë në kosheret e bletëve“.

 Mbi krizën e refugjatëve dhe mbi gabimet e kancelares

 Gjatë fushatës zgjedhore Ju thatë se politika e Angela Merkelit në lidhje me refugjatët nga Siri ka qenë një „sëmundje mendore“.  A mendoni ende kështu?

 Trump: „Unë mendoj se kjo nuk ka qenë mirë. Unë mendoj se ka qenë një gabim i madh i Gjermanisë. Dhe, pikërisht Gjermania! Gjermania ka qenë e njohur ( është menduar për më herët, – vërejtje e redaksisë) si vendi me kriteret më rigoroze të lejimit të hyrjes brenda…Unë do ta takoj atë. Unë e respektoj dhe e dua atë. Por unë konsideroj se ka qenë një gabim shumë i madh.

Unë mendoj se ne në Siri është dashur të krijojmë zona të sigurisë. Kjo do të kishte qenë dukshëm më e lirë. Dhe shtetet e Gjirit do të duhej të paguanin për këtë. Ato fundja kanë edhe mjaft para si askush tjetër. E tëra kjo do të kishte qenë më lirë sesa trauma që po e kalon Gjermania. Unë do të kisha thënë: Krijoni zona sigurie në Siri.

Shikoni, e tërë kjo histori nuk do të kishte guxuar të ndodhte. Iraku s’do të ishte dashur të sulmohej fare. E saktë? Ky ka qenë vendimi më i gabueshëm, ka mundësi të jetë vendimi më i keq që është marrë ndonjëherë në vendin tonë. Ne kemi zgjidhur diç – kjo ka qenë si të gjuash gurë në kosheren e bletëve. Dhe tashmë më e tëra është bërë lesh e li si asnjëherë më parë. Vetëm sa kam parë diç…, o, nuk guxoj t’ua them, sepse është fshehtësi… Por veç sa e kam shikuar Afganistanin. Nëse i shikon talibanët – janë të ngjyrave të ndryshme – çdo vit bëhen më shumë, më shumë, më shumë. Dhe aty pyet veten: ç’po ndodh?

Kë e fajësoni? Obama-n, Pakistanin? Kë e bëni përgjegjës?

Trump: „Afganistani nuk po shkon mirë. Asgjë nuk po shkon mirë. Unë besoj se ne jemi qe 17 vjet në Afganistan. Por nëse shikon tërë vendin – me tërë korrektësinë – ne nuk u kemi lejuar njerëzve ta bëjnë atë që është detyra e tyre. Ne kemi një armatë madhështore dhe do ta kemi edhe më madhështore, edhe pse për momentin është mjaft ligsht.

Ne kemi një armatë madhështore, por ne nuk i kemi lejuar armatës sonë të fitojë. Boeing dhe Lockheed Martin janë furnizues të mëdhenj të këtij vendi dhe ne kemi programin F-35, i cili ka kapërcyer shumë planin e shpenzimeve dhe është prapa në realizim. Është qindra miliarda dollarë mbi planifikimin dhe shtatë vjet prapa afatit kohor.

Mbi luftën kundër ISIS -it

 Dhe cili është prioriteti Juaj si komandant suprem për ushtrinë?

Trump: „ISIS.“

Si do të shkoni me ISIS?

Trump: „Këtë nuk do ta them tash. Unë nuk dua të jem si Obama apo të tjerët. Unë në këtë kontekst flas gjithnjë për Mossul-in. Mossul-i është shndërruar në një katastrofë. Brutale. Ata kanë deklaruar për katër muaj se do ta sulmojnë Mossul-in. Unë kam thënë: „Pse duhet ta kumtoni këtë?“. Kjo është sikur pyetja Juaj: çka do të bëni së pari? Kur do të sulmoni? Kur do ta bëni dhe si? Cilat armë do t’i përdorni? Në sa ora?“

Ju konsideroni se Obama e ka bërë të njohur sulmin përmes telegramit?

Trump: „Mossul- i është shndërruar në katastrofë sepse ne para pesë muajsh kemi deklaruar se ne pas pesë muajsh do të hymë në Mossul. Para katër muajsh thoshim se: „ ne jemi të gatshëm“ dhe kur hymë pastaj ishte folur tepër shumë për këtë. Kështu u bë e vështirë të merrej qyteti.“

A e konsideroni ndërhyrjen e Wladimir Putin-it të mirë apo të keqe?

Trump: Jo, kjo është një gjë shumë e keqe. Ne kishin shansin të bënim diç kur tërhoqëm vijën e kuqe, por e cila nuk vlejti – nuk ndodhi asgjë. Ky ishte rasti i vetëm dhe tash është disi …shumë vonë.

Është shumë vonë. Çdo gjë ka përfunduar. Dikur do të përfundojë, por Aleppo ishte një gjë e shëmtuar. Vetëm nëse shikohet se si vriteshin plakat duke u përpjekur ta lëshonin qytetin. Ato as që mund të shkonin shumë larg dhe qëlloheshin. Dukej sikur ato vriteshin për pikë të qejfit – ah, kjo është e tmerrshme, kjo është një gjendje e tmerrshme. Aleppo është në një gjendje kaq të tmerrshme humanitare.”

“NATO-ja është e vjetruar”

 Një vështrim Rusisë: Ju e dini se Angela Merkel e njeh shumë mirë Putin-in. Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, ajo flet rrjedhshëm rusisht. Kujt i besoni më shumë: Angela Merkel apo Wladimir Putin?

 Trump: Së pari ju besoj të dyve, por të shohim se sa do të zgjasë kjo. Ndoshta edhe nuk zgjat aq shumë.“

 A mund ta kuptoni atë se evrolindorët kanë frikë nga Rusia dhe Putin-i ?

 Trump : „ Sigurisht. Po e qartë, unë e di këtë. Po unë mendoj, se e di se çka mendojnë ata. Unë e them qe sa kohë : NATO-ja ka probleme. Ajo është e vjetruar, sepse, së pari,  siç e dini, ajo është krijuar para shumë vitesh. Së dyti, vendet nuk paguajnë atë që duhet ë paguajnë. Unë u vendosa nën trysni të madhe kur deklarova se NATO-ja është e vjetruar.

Por ajo është e vjetruar, sepse nuk u brengos për terrorizmin. Unë isha dy ditë nën trysni dhe pastaj filluan të thonë se Trump-i ka të drejtë. Dhe tash – kjo ishte edhe në faqen kryesore të «Wall Street Journal» – kanë një sektor të tërë që merret vetëm me terrorizmin. Kjo është mirë. Çështja tjetër është se vendet nuk paguajnë pjesën tyre në mënyrë korrekte. Pra ne duhet t’i mbrojmë këto vende, por shumë prej këtyre vendeve nuk paguajnë atë që duhet  të paguajnë. Kjo është shumë jo korrekte ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa marrë parasysh këtë, NATO-ja për mua është shumë e rëndësishme.

A paguan Britani a e Madhe? 

Trump: „Britania e Madhe paguan. Janë pesë vende që paguajnë atë që duhet. Kjo nuk është shumë … nga 22 ( mendon në 28 shtetet anëtare të NATO-s , vërejtje e redaksisë).

 Evropa në sigurinë e saj varet qe dekada të tëra nga Amerika. A do ta ketë këtë garancë edhe në të ardhmen?

Trump: „Je, unë ndihem shumë i lidhur me Evropën – shumë fuqishëm i lidhur me Evropën, po.“

A i përkrahni sanksionet e evropianëve kundër Rusisë?

Trump: „Kështu, unë mendoj se njerëzit duhet të merren vesh mes vete dhe ta bëjnë atë që munden për të qenë korrekt. Okej? Ju keni sanksione kundër Rusisë Te shohim njëherë se a do të mund të bëjmë ca marrëveshje të mira me Rusinë. Së pari mendoj se duhet të ketë shumë më pak armatim nuklear dhe se ato duhet të reduktohen ndjeshëm.. Kjo është ndër ato marrëveshjet. Por mendoj se mund të ketë edhe shumë të tjera prej të cilave do të përfitonin shumë njerëz.“

Përkthimi nga BILD për albinfo.ch Nexhmedin Gerguri