Shkurt.ch

Do të bëhet zviceran më 7 shtator

Natyralizim: Në moshën 61-vjeçare patroni i ndërmarrjes së orëve të famshme “Hublot” do të bëhet më në fund me pasaportë zvicerane

Më 7 shtator, Jean-Claude Biver me origjinë nga Luksemburgu do të bëhet zyrtarisht shtetas zviceran.

Një ditë që ai e ka pritur prej shumë kohësh. I ardhur në Zvicër në moshën 9-vjeçare, Jean-Claude Biver me prindër nga Luksemburgu frankofon, duhej të priste derisa Luksemburgu të pranojë parimin e kombësisë së dyfishtë, njofton e përditshmja « Le Matin ».

Sepse, gjithashtu i lidhur me vendlindjen, ai nuk donte kurrsesi të heqë dorë nga shtetësia e vendlindjes. “Shumë njerëz ishin të befasuar kur mësonin që unë ende nuk isha bërë zviceran!”, tregon duke qeshur  Jean-Claude Biver. “Sepse nuk ka zviceran më tipik se unë! Kam prodhuar djathë dhe orë, shton ndërsa pëlcet në një hov të qeshurit. Marrja e nënshtetësisë  ishte e rëndësishme për mua, sepse Zvicra është ajo që më dha mundësitë profesionale. Është ajo që më ka ushqyer”.

Kështu që më 7 shtator, Jean-Claude Biver, së bashku me gruan e tij, Sandra, si dhe me djalin e tyre dhe me vajzën e gruas do të marrin pasaportën zvicerane në qytetin e Lozanës. “Në të vërtetë, ky hap është një formalitet për mua, sepse asgjë nuk do të ndryshojë. Por, në të njëjtën kohë, kjo është një ndjenjë e madhe, një ndjenjë përkatësie, ideja që, falë meje, lindi një familje e re zvicerane. Është sikur se të mbjellësh një pemë në La Tour-de-Peilz dhe se një ditë gjen një pyll”.