Shkurt.ch

Përgjimi i internetit – mollë sherri

Nëse urdhëron prokurori, duhet të përgjohen edhe bisedat telefonike përmes internetit (skype), do të lexohen edhe bisedat në chat etj.

Ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga po përballet me kritika të ashpra për shkak të urdhëresës së saj që në revidimin e ligjit penal të zgjerohen mundësitë e përgjimit të internetit.

Edhe me ligjin në fuqi mund të urdhërohet përgjimi i e-mailit të personave të dyshuar, por me projektligjin e ri federata propozon rregulla për përgjimin e përdorimit në tërësi, të internetit të atyre që dyshohen për vepra penale.

Kjo nënkupton që, në rast se urdhëron prokurori, duhet të përgjohen edhe bisedat telefonike të kryera përmes internetit (skype), do të lexohen edhe bisedat në chat ose do të thyhen edhe fjalëkalimet (password).

Në lidhje me këtë propozim ligji sot mbahet një dëgjim publik, ku janë ftuar disa organizata. Ndërsa shumë organizata tjera, siç shkruan “Tages Anzeiger” i janë drejtuar me kritika ministres Sommaruga.

Bashkësia e shoqatave të sektorit të informatikës ICTswitzerland e ka quajtur propozimin e ligjit shumë problematik nga ana juridike. Sipas saj, mungon baza ligjore për ndërmarrjen e veprimeve të tilla përgjuese.

Nga ana tjetër një zëdhënëse e ministres Sommaruga ka pohuar se një bazë e tillë ligjore ekziston.