Shkurt.ch

Qitësit zviceranë: frikë nga “Sindromi Breivik”

Shoqatat zvicerane të qitësve kanë nën kontroll anëtarët që potencialisht mund të jenë të dhunshëm

Fakti se vrasësi nga Norvegjia, Anders Behring Breivik ka qenë anëtar i një shoqate qitësish, ku dhe ka mësuar qitjen me armë, ka aktualizuar nevojën për mbikëqyrje të shtuar të qitësve edhe në Zvicër.

Kështu, siç u tha dje në emisionin Tagesschau të televizionit publik zviceran, shoqatat zvicerane të qitësve u përmbahen në mënyrë rigoroze rregullave bazike për të pasur nën kontroll anëtarët që potencialisht mund të jenë të dhunshëm.

Sipas kryetares së federatës së sportit të qitjes, Dora Andres, në rast shkeljeje të rregullave të përmendura, shkelësit i sekuestrohet arma dhe bëhet denoncimi i tij në polici.

Po ashtu, siç u tha në emisionin e përmendur, edhe ushtria zvicerane është e njohur me problematikën e rrezikshmërisë së keqpërdorimit të armës. “Në rastet e dyshimit të bazuar, njoftohet menjëherë shërbimi informativ”,  thonë për sf1 përfaqësuesit e armatës zvicerane.