Shkurt.ch

Gjyqi Federal i vërteton dënimin shqiptarit që vrau grekun

Gjykata më e lartë e Zvicrës ka përligjur arsyetimin e dënimit të gjykatës në Ausserhoden, se shqiptari e ka vrarë grekun me paramendim

Në muajin shkurt të vitit 2005 një shqiptar 29 vjeç kishte vrarë në Herisau (AR) një grek 38 vjeç, duke e qëlluar me armë zjarri nga afërsia e drejtpërdrejtë. Gjykata e lartë e kantonit Ausserrhoden i kishte shqiptuar vitin e kaluar një dënim me 11 vjet heqje lirie shqiptarit për vrasje me paramendim.

Dorasi kishte bërë ankesë në Gjykatën Federale në Lozanë duke thënë se vrasjen e ka bërë në vetëmbrojtje. Mirëpo, gjykata më e lartë e Zvicrës ka përligjur dënimin e gjykatës së Ausserhoden-it, shkruan gazeta Tages Anzeiger. Sipas saj, bazuar në të dhënat ekzistuese, nuk bëhet fjalë për vetëmbrojtje por për vrasje me paramendim.

Vrasjes i kishte paraprirë një zënkë që greku kishte pasur me dhëndrin e shqiptarit, në pasditen para vrasjes, me ç`rast i kishte thyer atij kockën e hundës. Pasi ai i tregon mikut të tij për ndodhinë, ky i fundit me dy të tjerë shkojnë për të “biseduar” me grekun. Pasi e nxjerrin nga banesa, fillon rrahja.

Sipas përshkrimit të trupit gjyqësor, shqiptari e ka rrëzuar grekun dhe kur ky ka dashur të ngrihej në këmbë, është qëlluar me plumb nga dorasi.

Sipas Gjyqit Federal me vendimin e shpallur nga gjykata e lartë  nuk është cenuar parimi “in dubio pro reo” (në rast dyshimi, për të paditurin). Kjo sepse, bazuar në rrethanat, dorasi nuk ka pasur arsye të mendonte se po i kanosej rrezik nga greku.

Për këtë arsye masa ndëshkuese prej 11 vjet burg sipas Gjykatës Federale është proporcionale me veprën e kryer.