Shkurt.ch

Zgjatja e orarit të punës, “ilaç” kundër krizës?

"Ndryshe, ndërmarrjet zvicerane janë të detyruara të bëjnë diçka në mënyrë që të mos i bartin vendet e punës jashtë Zvicrës"

Forcimi i tepërt i monedhës zvicerane, frangut, në raport me euron, pas euforisë së parë (kryesisht të turistëve zviceranë që jashtë vendit mund të blejnë më lirë), po bëhet gjithnjë e më shumë një ngarkesë për ekonominë në përgjithësi.

Për të shmangur pasojat që mund të sjellë një monedhë e fortë, në opinionin zviceran janë paraqitur propozime të ndryshme. I fundit, ai i propozuar nga kryetari i SVP (UDC) Toni Brunner është quajtur  “ilaç” kundër pasojave të frangut të fortë. Ai është orari i zgjatur i punës i të punësuarve zviceranë, kundrejt pagave të njëjta.

Sigurisht, të thuash kështu nuk është shumë popullore, ka thënë Brunner për radion drs, por “ndërmarrjet zvicerane janë të detyruara të bëjnë diçka në mënyrë që të mos i bartin vendet e punës jashtë Zvicrës”.

Zvicra duhet të pastrojë “bërllogun” që e ka bërë Bashkimi Evropian me krizën e borgjeve, ka thënë ai. Brunner po ashtu ka kundërshtuar propozimet e SP-së për lidhjen e frangut me euron. Në një rast të tillë, sipas tij, “Zvicra do ta humbte mëvetësinë e saj”.