Integrimi

Pushimet “pa muaj mjalti” për politikanët e rinj

Zariu për pushime do të pushtojë Araratin, Valentina do të “ziejë” në uniformën e zjarrfikëses ndërsa Orhani do të martohet. Pa muaj mjalti.

© albifno.ch: Zari Xhaferi gjatë një ekspedite të tij alpiniste 

Zari Xhaferi, pushime në lartësi mbidetare 5137 metra!

Politikanët për nga përkufizimi dhe për nga natyra e tyre duhet të jenë ambiciozë. Ata rëndom ua vënë syrin lartësive, ndryshe nuk do të ngriheshin lart në karrierë. Por, Zari Xhaferi, deputet në Parlamentin e Kantonit të Zug-ut kësaj vere ia ka mësyrë disa lartësive tjera. Jo “lartësive” politike por atyre që synon një alpinist i pasionuar. Ai ka planifikuar që në ditët e ardhshme, diku pas 15 korrikut, të ngjitet në majën e malit Ararat, në Turqi.

Malit të njohur biblik, kulmit të Turqisë, (5.137 metra mbi det) Zariu ia ka vënë syrin prej kohësh, prandaj kësaj vere, nja dhjetë ditë të pushimeve do t`ia kushtojë ngjitjes në këtë lartësi. Kjo është një sfidë interesante për të riun që krahas politikës ka pasion edhe profesion arsimin, sportin dhe gazetarinë. Zariu na premton se në mos gjë tjetër, do të na sjellë fotografi të bollshme  nga Ararati, pasi ta ketë pushtuar atë.

©albinfo.ch: Valentina Smajli me uniformën e zjarrfikëses

Valentina Smajli “pushon” me uniformën përvëluese të zjarrfikësve!

Një sfidë të llojit tjetër ka para vetes për kohën e pushimeve anëtarja e kryesisë së Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, anëtarja e kryesisë së Kuvendit Shqiptar dhe nënkryetarja e Forumit për Islam progresiv, Valentina Smajli. “Unë praktikisht nuk do të kem pushime këtë verë.

Tash dy javë sa e kam marrë pushimin nga vendi i punës kam mbetur në shtëpi, sepse më duhet të kryej shërbimin civil të zjarrfikëses, këtu në Lucern”, thotë ajo, e pyetur se ku do t`i kalojë pushimet. Pra, Valentina do të stërvitet  siç thotë ajo, që të jetë ashtu siç pretendon “zjarrfikëse në jetën praktike por edhe në politikë”. Madje ajo , në një mënyrë paska poetike e formulon kështu përkushtimin e saj: “Është kohë me shumë alarme, nuk kam kohë për pushime”.

“Alarmet” e saj nuk kanë të bëjnë vetëm me zjarret e vërteta por edhe me problemet që i paraqiten në aktivitetet e saj në shoqërinë civile. “Edhe gjatë verës do të jem e angazhuar në përpjekjet kundër ekstremizmit fetar dhe atij politik”, sqaron Valentina, e cila së fundi ka qenë mjaft e sfiduar nga këto të dyja.

©albinfo.ch: Lesh Duhanaj

Llesh Duhanaj në bregdetin shqiptar, në Ulqin dhe në vendlindje

Llesh Duhanaj është arsimtar në një shkollë zvicerane, aktivist dhe së fundi edhe kryetar i seksionit kosovar  të CVP-së (Partia Kristiane Popullore), apo CDK-së. Si arsimtar Lleshi ka pushime më të gjata se të punësuarit tjerë në Zvicër.

Por, nga gjashtë javët e pushimit, në fakt më mbeten vetëm katër javë efektive. Sepse dy javë tjera duhet t`ia kushtoj përgatitjes për vitin tjetër shkollor”, thotë politikani i ri. Katër javët e pushimeve ai planifikon t`i ndajë në tri pjesë: në bregdetin e Shqipërisë, në Ulqin dhe gjithsesi në Kosovë, përkatësisht në vendlindjen e tij, në Klinë.

©albinfo.ch: Ylfete Fanaj

Ylfete Fanaj, në Paris për mësimin e frëngjishtes dhe ca ditë në Côte d’Azur

Ylfete Fanaj gjatë ka lënë pas vetes një periudhë mjaft të ngarkuar me aktivitete. Si kandidate për parlamentin e kantonit të Lucernit dhe si kryetare për gjithë Zvicrën e organizatës second@s, ajo ka qenë në krye të disa fushatave që kanë kërkuar investim të madh energjie. Mundi i është shpërblyer.

Ylfetja qe zgjedhur deputete e kantonit, si e para femër shqiptare në përgjithësi në Zvicër. Prandaj pushimet verore kanë ardhur për të në kohën e duhur, për tu çkyçur disi për një kohë nga stresi i përditshmërisë së punës. Por, pushimet e Ylfetes megjithatë nuk do të jenë krejtësisht pasive. “Tri javë do të qëndroj në Paris për të perfeksionuar frëngjishten, ndërsa një javë do ta shpërblej veten me pushime në bregdetin e Francës jugore”, thotë Ylfete Fanaj.

©albinfo.ch: Orhan Spahiu

Pushimet e tij Orhan Spahiu do t`i kalojë … në dasmë!

Pushime me stres por gjithsesi pushime unikale, të paharrueshme do të ketë edhe Orhan Spahiu, kryetari i “Kuvendit të Shqiptarëve”, organizatës së themeluar së fundi, me synimin për të përfshirë të gjitha organizimet e shqiptarëve në Zvicër.

“Më 26 korrik do të martohem. Dasmën do ta bëj në Kosovë, në një restorant në Ferizaj”, zbulon Spahiu mënyrën se si do t`i kalojë pushimet. Por ai dhe e fejuara e tij, Nexhmija, studente nga Kumanova, e rritur në Zvicër duket se “nuk i kanë rendet” për të bërë edhe muajin e mjaltit kësaj here. “Nuk kam kohë. I kam gjithsej dy javë pushim. Gjatë gushtit duhet t`i jap dorën e fundit punës për përfundimin e Fakultetit Juridik, që pritet në shtator-tetor”, sqaron Orhani.

Por, shton ai “megjithatë ndoshta rrugës së kthimit për në Zvicër do të ndaj 3-4 ditë për të bërë një ndalesë të shkurtë diku në bregdetin kroat”.