Feja
Besimtarët shqiptarë në Zvicër, indiferentë rreth Konferencës islamike të Bielit
Qarqet fetare dhe asociative shqiptare: "Grupi që organizon konferencën nuk ka ndonjë qasje ndër shqiptarët myslimanë"
Sot në Biel/Bienne të kantonit të Bernës mbahet konferenca islamike ndërkombëtare që është trumbetuar si “manifestimi më i madh islamik i mbajtur ndonjëherë në Zvicër”.
Vetë mbajtja e kësaj konference, e organizuar nga Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës, një organizatë e vënë në shenjë për qëndrime intolerante ndaj feve tjera, ka ngjallur mospajtime në opinionin zviceran.
Ndërsa ftesa për pjesëmarrje e dërguar disa personaliteteve që polarizojnë, në mesin e të cilëve edhe imamit nga Prishtina Shefqet Krasniqi, ka ngritur shkallën e alarmit. Duke qenë se shqiptarët e besimit mysliman janë komuniteti më i madh me përkatësi myslimane në Zvicër dhe për faktin se është ngritur shumë pluhur rreth pjesëmarrjes së hoxhës nga Prishtina në këtë konferencë, albinfo.ch ka bërë përpjekje të identifikojë qëndrimin e disa përfaqësuesve të komunitetit fetar islam në Zvicër.
Mendimin e tyre rreth konferencës dhe pjesëmarrjes së hoxhës shqiptar në të, e kanë dhënë tre imamë të xhamive shqiptare të këtushme: Rehan Neziri, Mustafë Mehmeti dhe Nebi Rexhepi. Ndërsa një qëndrim të saj në cilësinë e nënkryetares së Forumit për Islam Progresiv, një organizatë kjo e njohur në Zvicër, e ka shprehur edhe Valentina Smajli, e cila njëherësh është dhe anëtare e kryesisë së Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Imami Mustafë Mehmeti: konferenca dhe pjesëmarrja e Shefqet Krasniqit si përfaqësues i besimtarëve shqiptarë, kontraproduktive
Mendimet e bashkëbiseduesve tanë kryesisht puqen në një pikë: se grupi që organizon konferencën nuk ka qasje të mirëfilltë në bashkësinë islame shqiptare të Zvicrës dhe se rrjedhimisht ai përbën një grup jo përfaqësues të kësaj bashkësie. Kështu, për Imamin e Xhamisë Shqiptare në Bernë, Mulla Mustafë Mehmeti, Qendra Islamike e Bielit nuk përfaqëson besimtarët islamikë në Zvicër. “Ata nuk përfaqësojnë komunitetin islam në Zvicër”, thotë prerazi z. Mehmeti.
I pyetur rreth qëndrimit të bashkësisë që përfaqëson dhe atij vetë në raport me “Këshillin…” ai thotë se ajo nuk paraqet as 2% të myslimanëve në Zvicër.
Për shkaqe të ndryshme ne si bashkësi islame e Bernës e bojkotojmë pjesëmarrjen në atë konferencë dhe kundërshtojmë idetë që përfaqëson Qendra e ashtuquajtur islamike e Bielit. Ne e kundërshtojmë gjithë atë kuzhinë që prodhon ide të cilat shkojnë në dëm të klimës rreth gjendjes së myslimanëve në Zvicër”, shton imami shqiptar i Bernës.
Ndërsa lidhur me paralajmërimin e ardhjes së imamit Shefqet Krasniqit, z. Mehmeti ka po ashtu qëndrimin e tij të prerë. Ai është gjithsesi kundër pjesëmarrjes së Krasniqit si përfaqësues i besimtarëve shqiptarë në këtë manifestim. “Unë jam së pari kundër `importimit` të hoxhallarëve nga jashtë”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket konkretisht Shefqet Krasniqit mendoj se pjesëmarrja e tij në konferencën e Bielit nuk është produktive në kuptimin që nuk shkon në të mirë të kërkesave tona normale e të logjikshme për kultivimin e fesë sonë këtu. Qëndrimet e tij nuk na ndihmojnë dhe ai nuk është njeriu që mund të përfaqësojë qëndrimet e besimtarëve myslimanë shqiptarë në Kosovë”, thotë imami shqiptar, i bërë i njohur edhe me qëndrime tjera të vlerësuara si liberale nga opinioni zviceran.
Imami Rehan Neziri: grupi rreth “Këshillit…” ka sjellje të papërgjegjshme
Më i kursyer se mulla Mehmeti shprehet hoxha tjetër, kryetari i bashkësisë islame shqiptare dhe imam i xhamisë “Hëna e re” të Kreuzlingenit, Rehan Neziri.
Ai nuk dëshiron të shprehet publikisht rreth imamit dr. Shefqet Krasniqi dhe as rreth pjesëmarrjes së tij të mundshme në konferencë. Mirëpo, ajo që ai e kundërshton në mënyrë të vendosur është aktiviteti i Këshillit Qendror Islamik në Biel/Bienne, organizatorit të konferencës islamike.
Përveç që thotë se ai dhe as xhamia që drejton nuk marrin pjesë në atë konferencë ai thekson se edhe se nuk pajtohet me mënyrat e veprimit të pjesëtarëve të këshillit. “Ata sillen në mënyrë të pandershme, duke i shkelur edhe normat minimale të xhamive vetëm për të përhapur idenë e tyre. Nuk i mbështesim ata absolutisht”, ka thënë mulla Rehani.
Ndërkaq, ai nuk ka mundur të përjashtojë mundësinë që individë shqiptarë nga regjioni të marrin pjesë në konferencën e përmendur. “Por, gjithsesi, jo si xhami dhe jo në mënyrë të organizuar”, ka përforcuar përgjigjen negative rreth pjesëmarrjes në konferencë, Rehan Neziri.
Imami Nebi Rexhepi: Ne nuk marrim pjesë. Ndalimi ose jo i Krasniqit – punë për shtetin!
Imami i xhamisë së shqiptarëve në Altsteten të Cyrihut, mulla Nebi ef. Rexhepi i pyetur për qëndrimin rreth konferencës tashmë famoze të Bielit, jep po ashtu përgjigje mohuese.
“Unë nuk marr pjesë atje as xhemati im. Në kuptimin që nuk jam as i interesuar për të marrë pjesë”, thotë ai duke treguar shpërfillje. “Mund të shkojnë individualisht por në mënyrë zyrtare assesi. Ne as nuk e kemi lajmëruar xhematin rreth kësaj. Sot kishim faljen e xhumasë, dhe nëse do të donim të shkonim, do të lajmëronim xhematin për këtë”, nënvizon ef. Rexhepi.
Ndërkaq i pyetur rreth pjesëmarrjes së dr. Krasniqit në konferencën e përmendur, ai shprehet indiferent. “Nuk kam ndonjë mendim e as nuk kam lidhje me të. Ai mund të vendosë vetë a merr pjesë a jo”.
Lidhur me mundësinë që z. Krasniqit t`i ndalohej hyrja në Zvicër, mulla Nebiu po ashtu ia lë në dorë shtetit që të vendosë. “Shteti nëse do ta ndalojë, le ta ndalojë. Edhe pse është punë e tij (mulla Shefqetit) ku shkon apo ku është i thirrur. Por nëse shteti e sheh me sy të keq këtë “Këshillin…”, mund edhe t`ia ndalojë. Ajo është punë për shtetin”.
Valentina Smajli: organizatorët, me moral të dyfishtë
Valentina Smajli, anëtare e kryesisë së Partisë Socialdemokrate të Zvicrës dhe nënkryetare e Forumit Zviceran për Islamin Progresiv, duke folur për konferencën që mbahet sot në Biel-Bienne, thotë se programi që përfaqëson organizata e saj nuk përputhet me qëllimet e konferencës së përmendur.
Ajo për albinfo.ch në vazhdim thotë: “Në “Këshillin…” ka shumë persona që janë konvertuar nga një fe tjetër në fenë islame të versionit radikal. Ata në planprogramin e tyre nuk janë të sinqertë për mënyrën se si flasin brenda rrethit të tyre dhe në raport me publikun e mediet. Prandaj mund të themi se kanë një moral të dyfishtë. Ideologjia e tyre fetare është patriarkale dhe bie shumë herë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut e po ashtu edhe me normat demokratike të shekullit 21”, shton znj.Smajli.
“Ne, si një organizatë ndër-kulturore që kujdesemi edhe për integrimin, nuk mundemi te shohim asgjë të dobishme për migrantët nga tubimet e tilla”, shton ajo.Ndërkaq, duke u ndërlidhur me pjesëmarrjen e dr. Shefqet Krasniqit në këtë konferencë, znj. Smajli thotë se nuk është akt i duhur, duke pasur parasysh qëndrimet e tij radikale, e të prapambetura, të njohura për publikun tonë.
“Siç e dimë të gjithë, Kosova është një shtet ku religjionet janë të ndara me ligj nga shteti dhe, siç dihet, tradicionalisht shqiptarët kanë jetuar në harmoni në mes të religjioneve të ndryshme. Por pas lufte në Kosovë kanë vërshuar organizata te ndryshme arabe që predikojnë islamin radikal si vahabizmin etj.”, tërheq vërejtjen Smajli.
“Mërgata shqiptare si dhe të tjerët në Zvicër nuk kanë nevojë për predikimin e tij sepse është tendencë që të krijohen turbulenca në mesin tonë. Kjo, sidomos kur ndër të tjera e dimë qëndrimin e tij fyes ndaj humanistes dhe nobelistes shqiptare, Nënë Terezës, me të cilën mburren të gjithë shqiptarët”.
Ndërsa duke bërë fjalë për komunitetin shqiptar të besimit islam në Zvicër, Valentina thotë se për të sekularizmi, ndarja e religjionit nga shteti nuk është asgjë e re. Shqiptarët kanë mendim te moderuar dhe konform demokracisë, ndaj fesë”, përfundon Valentina Smajli.
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e Shoqatës “Bashkimi Uster” kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor