Integrimi

Pagëzohen në kishë katërnjakët shqiptarë, kumbarë u bëhet kryeministri!

Familja megjithatë është e kërcënuar të dëbohet nga Gjermania, pasi që Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe sipas rregullit, shtetasve të saj nuk u jepet azil

Ardhja e tyre në jetë, para rreth gjashtë muajve ka qenë temë shumë e pranishme në mediat gjermane. Bëhet fjalë për katërnjakët e familjes refugjate shqiptare Keta, të cilët lindën në Jena të Gjermanisë. Tash kur nga ajo kohë ka kaluar gjysmë viti, katërnjakët janë pagëzuar në kishën ungjillore të qytetit Winzerla. I pranishëm ishte edhe vet kryeministri i landit të Thüringenit, Bodo Ramelow. Për më tepër ai u bë edhe kumbarë i fëmijëve, shkruan mdr.de.

Ceremonia e pagëzimit të katërnjakëve i zhvillua pjesërisht edhe në gjuhën shqipe, transmeton albinfo.ch.

Tri vajzat: Olivia, Xhesika e Amelia dhe vëllai i tyre Frederiku, kanë lindur nga mesi i tetrit të vitit të kaluar me prerje cezariane, në javën e 32-të të shtatzënisë së nënë së tyre, Oltiana Koci. Të posalindurit peshonin në mes 1200 dhe 1655 gramë.

Oltiana  dhe bashkëshorti i saj Vebi Keta kishin ardhur në Gjermani për shkak të kushteve të rënda të mjekësisë në Shqipëri dhe pasi që kishin frikë për të bërë lindjen e katërnjakëve në ato kushte, përcjell albinfo.ch.

Familja megjithatë është e kërcënuar të dëbohet nga Gjermania, pasi që Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe sipas rregullit, shtetasve të saj nuk u jepet azil.