Integrimi

Elona Beqiraj fiton çmimin për angazhim publik të gruas

«Rrënjët e familjes sime janë në Kosovë, gjë që me siguri e shpjegon edhe angazhimin tim pasionant në punë me refugjatët», thotë Elona Beqiraj

«Kanë fituar që të tria» Catharina Luttmann (16), Saskia Heese (17) dhe Elona Beqiraj (19). Por, juria më në fund është dashur të vendoste për njërën nga kandidatet. Kështu, fituese u shpall 19 vjeçarja Elona Beqiraj nga qyteti Verden, shkruan kreiszeitung.de. Bashkë me çmimin «Young Women in Public Affairs Award» asaj i ka takuar edhe shuma simbolike në para prej 300 eurove.

Bëhet fjalë për një çmim nderi për femrat e moshave 16 -19 vjeçare, të cilin e ndan Zonta Club për të shtatin vit me radhë.

«Gëzohem shumë», thotë 19 vjeçarja e cila është duke ndjekur gjimnazin dhe që është angazhuar veçanërisht në punë me refugjatë, transmeton albinfo.ch. Maturantja, e konsideron se e gjithë puna që ajo e bën si vullnetare është diçka e vetëkuptueshme. Elona është me dëshirë gjithonë në dispozicion për të tjerët dhe e interesuar për kulturat tjera.

«Për nga natyra jam kureshtare. Pastaj, rrënjët e familjes sime janë në Kosovë, gjë që me siguri e shpjegon edhe angazhimin tim pasionant në punë me refugjatët», përcjell albinfo.ch. «Fundja edhe vetë familja ime para një kohe jo të gjatë ka përjetuar ikjen dhe humbjen e atdheut».

Edhe sa u përket të drejtave njerëzore të gruas, fituesja e çmimit përfaqëson një qëndrim domethënës: Gjatë viteve të kaluara sigurisht është bërë shumë, por është punë e qeverive përkatëse që të kujdesen që të gjitha vajzat dhe gratë të gëzojnë arsimimin dhe të drejtat e barabarta», thotë ajo. Dhe për të mbështetur këto qëndrime, Elona, e cila është bashkëthemeluese e shoqatës «Verden hilft» dëshiron që pas maturës këtë vit të punojë në ndihmën për zhvillim, e pastaj të studiojë politikën ose gazetarinë.