Shkurt.ch

2 muaj në makinën e mbuluar nga bora dhe mbetet i gjallë!

Rrëfimi i tij është i besueshëm pasi rreth makinës së tij nuk është parë asnjë gjurmë që do të tregonte se dikush ka kaluar andej

I dobësuar dhe pothuaj i ngrirë është gjetur një suedez në veturën e tij të mbuluar plotësisht nga akulli. Dy muaj ka qëndruar i ngujuar në këto temperatura të skajshme, thotë suedezi, falë thesit për fjetje. Është “ushqyer” vetëm me borë!

Siç shkruan gazeta Västerbotten-Kurir” e të shtunës, policët e kanë gjetur një njeri në një veturë në një rrugë të izoluar malore, të rrethuar nga një sasi e madhe bore. Një makinë bore ka zbuluar së pari kulmin e veturës pothuaj tërësisht të mbuluar nga bora dhe ka ngritur alarmin. Personi që u gjet i gjallë në atë masë bore e akulli, thotë se aty ka qëndruar nga 19 dhjetori i vitit të kaluar.

Burri 45 vjeçar nuk ka qenë në gjendje të japë informata më të hollësishme. Por, autoritetet e spitalit në Uma, thonë se, krahasuar me rrethanat nëpër të cilat ka kaluar, personi në fjalë është mirë me shëndet.

Sipas policisë, rrëfimi i “njeriut të borës” është i besueshëm për faktin se rreth makinës së tij nuk është parë asnjë gjurmë që do të tregonte se dikush ka kaluar andej pari.

Temperaturat në regjionin Västerbotten, ku është gjetur i lartpërmenduri, javëve të kaluara kanë zbritur deri në minus 30 gradë.