Shkurt.ch

16 vjet burg për industrialistin Schmiedheiny

Ai dhe belgu de Cartier shpallen fajtorë për vdekjen e shkaktuar nga azbesti të rreth 2000 punëtorëve gjatë periudhës 1973-1986

Industrialisti i njohur zviceran Stefan Schmidheiny është dënuar me 16 vjet heqje lirie në procesin e “azbestit” që ka filluar në dhjetor të vitit 2009. Këtë dënim ia ka shqiptuar zviceranit Gjykata e Torinos, e cila në po këtë proces me masë të njëjtë ndëshkuese, 16 vjet burg, ka dënuar edhe baronin belg Jean-Louis de Cartier.

Të dy këta kanë qenë bashkëpronarë të ndërmarrjes Eternit S.p.A me seli në Gjenovë të Italisë. Ata ngarkohen si fajtorë për vdekjen e shkaktuar nga azbesti – që prodhohej nga katër fabrikat e ndërmarrjes në fjalë –  të rreth 2000 punëtorëve gjatë periudhës 1973-1986.

Prokuroria ka kërkuar 20 vjet heqje lirie dhe dëmshpërblime milionëshe për dy bashkëpronarët. Ajo i ngarkonte ata për shkaktim të qëllimshëm të vdekjes së një numri të madh të njerëzve dhe për shkatërrim të ambientit. Ndërsa trupi gjykues u ka shqiptuar atyre nga 16 vjet, për shkaktim vdekje nga pakujdesia.

Mbrojtja kërkonte lirim dhe pafajësi për dy të akuzuarit.