Kosova

139.2 milionë euro investime të huaja në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se Investimet e huaja direkte (IHD), të pranuara në Kosovë deri në qershor 2017, arritën vlerën prej 139.2 milionë euro, që paraqet një rritje prej 64.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me rritje u karakterizua kapitali dhe fondi i investimeve në aksione ndërsa investimet në instrumente të borxhit shënuan rënie”, thuhet në raportin e BQK-së, bën të ditur televizioni publik i Kosovës.

Sipas BQK-së, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 85.0 për qind të gjithsej IHD-ve, arriti vlerën prej 118.3 milionë euro dhe shënoi rritje prej 88.3 për qind. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit arritën vlerën prej 20.9 milionë euro, një rënie prej 4.8 për qind.

“Rritje më e lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e shërbimeve financiare dhe në ndërtimtari (32.5 përkatësisht 13.9 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar), përderisa sektori i tregtisë u karakterizuan me rënie vjetore prej 1.0 për qind’, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin tremujor të ekonomisë.