Integrimi

Prizrenasi Belul Bajrami, udhëheqës i Legjislativit në komunën zvicerane

Bajrami në këtë pozitë nuk erdhi rastësisht. Në vitin që e lamë pas merr pëlqimin e elektoratit dhe të strukturave udhëheqëse të Partisë Socialiste për të qenë Kryetar i socialistëve- Dega në La Tène të Neuchâtel-it

Vargut të mërgimtarëve tanë të suksesshëm në Zvicër, gjatë këtyre ditëve i është shtuar edhe Belul Bajrami nga Pirana e Prizrenit. Ai, më 31 dhjetor 2016 në zgjedhjet lokale të komunës La Tène, të kantonit të Neuchâtel-it,  ka marrë votat e nevojshme për të qenë në krye të legjislativit të kësaj Bashkie, me rreth pesëmijë banorë.

Bajrami në këtë pozitë nuk erdhi rastësisht. Ai ka përgatitje të duhur dhe bagazh të bollshëm politik.  Më 2012, duke qenë pjesë e Partisë Socialiste në qytezën La Tène, emërohet nënkryetar i kësaj partie.  Me angazhim maksimal në punë dhe mirësjellje me qytetarët e kësaj komune të themeluar më 2009 Bajrami vitin që e lamë pas merr pëlqimin e elektoratit dhe të strukturave udhëheqëse të Partisë Socialiste për të qenë Kryetar i  socialistëve- Dega në La Tène të Neuchâtel-it.

I njohur nga të gjithë për punën plot suksese, ai në zgjedhjet e organizuara në nivel kantoni më 17 prill të këtij viti pretendon edhe postin e deputetit në Parlamentin e Neuchâtel-it.

Detyrë parësore e Bajramit ishte dhe mbetet kryerja me sukses e mandatit të Kryetarit të legjislativit në komunën La Tène, si dhe  profilizimi dhe rrita e Partisë Socialiste në shkallë rrethi dhe vendi.

Bajrami thotë: “Ju lutem mos më merrni  si lokalist por në planet e mia bën pjesë edhe binjakëzimi i qytezës La Tène me komunën e Prizrenit”. Me këtë akt bëhet njohja e drejtpërdrejtë e popullit zviceran dhe atij shqiptar. Po ashtu bëhen edhe këmbime ndërkulturore dhe krijohen tamam raporte vëllazërore ndërmjet dy popujve.

Bajrami  kohë më parë në Tramelan –Jura të Zvicrës është specializuar në lëmin e migracionit dhe ka marrë titullin “Spécialist de la Migration BF”. Ai, duke qenë pjesë e komisioneve dhe ekipeve kantonale po ndihmon dukshëm në integrimin e të huajve.

Përkujdesja e treguar ndaj kësaj kategorie bëri që më 2014 z. Bajrami të shpërblehet nga Qeveria e  kantonit të Neuchâtel-it, me çmimin” “SALUT L’ÉTRANGER!”

Belul Bajrami, krahas angazhimeve në politikë është marrë dhe me organizimin e komunitetit shqiptar në kantonin e Neuchâtel-it.  Ai, së bashku me një grup adhuruesish të këngëve dhe valleve tona burimore, themelon shoqërinë “Mërgimi”. Nëpërmjet kësaj shoqërie, të rinjtë shqiptarë të Neuchâtel-it dhe ata të rrethinave të tij e mbajnë gjallë jetën kulturore duke promovuar çdo ditë vlera të nduarduarta të trevave tona.

Një rol mjaft të rëndësishëm në afirmimin e mërgimtarëve tanë në Neuchâtel , ka luajtur edhe Bashkësia Shqiptare e  cila ka tubuar në gjirin e saj shqiptarë e zviceranë.

Aktivitetet e kësaj Bashkësie kanë qenë kryesisht të orientuara në mbledhjen e mjeteve materiale  si ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, gjatë kohës së okupimit nga Serbia.

Kur jemi këtu, medoemos duhet falënderuar edhe miqtë tanë zviceranë të cilët të shumtën e herëve kanë mbështetur nismat tona.

Belul Bajrami në krye të kësaj Bashkësie ka qëndruar një periudhë të gjatë.

Ai edhe tani ndihmon funksionimin e saj por para dy-tre muajve është tërhequr nga pozita e udhëheqësit të Bashkësisë, me qëllim që t’u krijohet mundësia për drejtimin dhe menaxhimin e kësaj shoqate edhe mbi dyzet studentëve shqiptarë, që studiojnë  në Shkolla të Larta dhe Fakultete të ndryshme të Zvicrës.

Bajrami, i dalluar edhe në sportet luftarake

Belul Bajrami, karrierën si sportist e fillon më 1983 në Klubin e mundjes “Bosnja” të  Sarajevës, atëbotë anëtare e Ligës së  parë federative të ish-Jugosllavisë.

Në një konkurrencë mjaft të fortë Bajrami shënon suksese të  njëpasnjëshme.

Zatën kjo edhe bën që ai deri më 1986 periudhë kjo kur ai largohet nga Bosnja dhe Hercegovina, të kryejë detyrën e profesorit ndihmës të Edukatës fizike në Universitetin e Sarajevës. Krahas aktiviteteve sportive Bajrami, përfundon edhe studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë, drejtimi laborant i mjekësisë së përgjithshme.

Projektet e tij  i prish acarimi tejmase i marrëdhënieve të serbëve me myslimanët boshnjakë dhe kroatët.

Bajrami, duke mos dashur që të bie pre e një lufte të pakuptimtë në dhjetor të vitit 1986 largohet nga Sarajeva dhe vendoset në Zvicër.

Duke e konsideruar sportin si pjesë të jetës ai më 1994 hap në Zvicër klubin e tij të sporteve luftarake.

Bajrami shquhet veçmas në të ashtuquajturën disiplinë  luftarake “Full-Contact”, ku ka fituar edhe titullin ”Mjeshtër me brezin e zi, -2Dan”

Plot shtatë vjet Belul Barjami, ishte edhe trajner i kombëtares së Zvicrës në federatën IAKSA.

Aktualisht ai kryen detyrën e arbitrit në kick-boxing, K-1,Box-Thai,si dhe në karate-kontact, në arenat kombëtare të Zvicrës,dhe në ato botërore.

Bajrami me prirje të shumanshme  pasion e ka edhe krijimtarinë letrare.

Ai ka publikuar deri me tani në revistën periodike “Penda e Mërgimtarit” një numër të konsiderueshëm poezish me tematikë sociale dhe atdhetare.